Autoritetet italiane kanë parandaluar një tentativë të dyshuar për trafikim ndërkombëtar të një kamioni të rëndë, i cili ishte grabitur me armë në rajonin e Pulias dhe po transportohej me traget drejt Durrësit.
Sipas mediave italiane, efektivët e Karabinierëve të Ankona Centro, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, lokalizuan mjetin në portin e Ankonës pak para nisjes së tragetit “AF Claudia” me destinacion Durrësin.
Bëhet fjalë për një kamion Volvo FMX, në pronësi të një kompanie me seli në San Ferdinando di Puglia, i cili ishte grabitur më 25 qershor rreth orës 04:30 të mëngjesit përgjatë rrugës shtetërore SS16 Adriatica.
Sipas hetimeve, katër persona të armatosur me kallashnikovë dhe me fytyrat e mbuluara ndaluan kamionin, detyruan shoferin të zbriste dhe u larguan me mjetin. Që prej asaj dite nuk kishte asnjë gjurmë të tij.
Kamioni u gjet i fshehur në garazhin e tragetit, megjithëse autorët kishin hequr targat dhe kishin ndryshuar elementët identifikues për të vështirësuar zbulimin.
Mjeti është sekuestruar dhe është dërguar në një depo të autorizuar, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës teknike nga Karabinierët.
Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e autoriteteve gjyqësore italiane, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, për të identifikuar personat që organizuan dhe realizuan ngarkimin e kamionit në tragetin që ishte nisur drejt Shqipërisë.