Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të kryeqytetit, në kuadër të protestës së 49-të radhazi kundër klasës politike që ka qeverisur vendin për më shumë se tre dekada.
Me thirrjet në kor "Shqipëria kërkon revolucion", protestuesit po marshojnë nëpër Tiranë, duke përsëritur kërkesat e tyre për ndryshim politik, përgjegjësi dhe fundin e pandëshkueshmërisë.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e 49-të, vijon të mbledhë qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, të cilët prej javësh dalin çdo mbrëmje në shesh për të shprehur pakënaqësinë ndaj sistemit politik dhe për të kërkuar një Shqipëri me më shumë drejtësi, transparencë dhe mundësi për qytetarët.
Marshimi pritet të vijojë në disa nga akset kryesore të Tiranës, ndërsa protesta vazhdon të mbetet një nga lëvizjet më të gjata qytetare të dekadave të fundit.