Vendim Kapaj, mjeshtri i njohur vlonjat i fyellit dhe culës dyjare, është kthyer në një nga emrat më të përfolur të ditëve të fundit pasi u bë pjesë e stafit muzikor të filmit hollivudian “Odisea”, me regji të Christopher Nolan. Me mbi 50 vite karrierë dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, Kapaj interpretoi për kolonën zanore të filmit së bashku me kompozitorin fitues të Oscar-it, Ludwig Göransson, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të polifonisë shqiptare dhe instrumenteve tradicionale. I frymëzuar nga iso-polifonia, Göransson zgjodhi të mos mbështetej te një orkestër klasike simfonike, por të sillte në film tingujt e fyellit dhe culës dyjare, duke i konsideruar më pranë atmosferës së botës së lashtë.
Pavarësisht këtij vlerësimi ndërkombëtar, jeta e përditshme e Kapajt ka qenë larg dritave të skenës. Artisti, i cili konsiderohet i vetmi instrumentist në Ballkan që luan fyellin me dhëmbë, është një qytetar i thjeshtë i Vlorës, që për vite me radhë është përballur me vështirësi ekonomike. Vlonjatët e kanë parë jo vetëm në skenat folklorike, por edhe duke punuar në shërbimin e pastrimit të qytetit për të siguruar jetesën. Edhe pas përfundimit të asaj pune, ai ka vijuar të sigurojë të ardhura duke shëtitur me biçikletë në rrugët e Vlorës dhe duke shitur peshk të freskët, pa e ndërprerë asnjëherë pasionin dhe angazhimin e tij për muzikën tradicionale.
Historia e Vendim Kapajt ka ngjallur reagime të shumta, pasi shumë e konsiderojnë paradoks faktin që një artist i këtij niveli është lënë për vite në harresë nga institucionet kulturore shqiptare, ndërsa vlerësimi i tij erdhi nga një prej produksioneve më të mëdha të Hollywood-it. Në një kohë kur investohen shuma të mëdha për të sjellë artistë të huaj në Shqipëri, ishte vetë ekipi i Christopher Nolan që udhëtoi në Vlorë për të kërkuar tingujt unikë të fyellit dhe culës dyjare të Vendim Kapajt, duke e bërë atë pjesë të një projekti që do ta çojë muzikën tradicionale shqiptare në ekranet e gjithë botës.