Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Në vitin 2024, nga 21,102 vdekje gjithsej, 11,694 persona humbën jetën nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, duke zënë 53% të totalit. Ky nivel është shumë më i lartë se mesatarja europiane prej rreth 30%, ndërsa ekspertët e lidhin me diagnostikimin e vonuar, mungesën e kontrolleve periodike, duhanpirjen, stresin dhe dietën me shumë kripë e yndyra.
Problemet më të mëdha shfaqen në qarqet e Veriut, ku Kukësi kryeson me 62.48% të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, pasuar nga Shkodra me 60.73%, Lezha me 58.2% dhe Dibra me 58%. Në Gjirokastër niveli është më i ulët, me 31.34%. Sipas mjekëve, ndikojnë faktorët ushqimorë, vështirësitë në aksesin ndaj shërbimeve të specializuara dhe mungesa e kontrolleve parandaluese.
Fenomeni po prek edhe moshat më të reja, ku rritja e hipertensionit, diabetit, obezitetit dhe stresit po shtojnë rastet e infarkteve dhe goditjeve në tru. Shqipëria ka 267 kardiologë, por shumica janë të përqendruar në Tiranë. Ekspertët kërkojnë më shumë depistime, edukim shëndetësor dhe forcim të shërbimeve parandaluese për të ulur numrin e vdekjeve nga zemra dhe truri.