Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania nga Liqeni i Komanit janë një shuplakë për të gjithë. Një nga mrekullitë natyrore më të mëdha të Shqipërisë, destinacion që reklamohet çdo ditë si krenaria e turizmit shqiptar, sot është mbuluar nga qese plastike, shishe dhe mbeturina të çdo lloji që notojnë në sipërfaqen e ujit.
Faji nis që te qytetarët që, pa asnjë pikë përgjegjësie, hedhin mbeturinat në ujë apo buzë liqenit, sikur natyra të ishte një kosh gjigant plehrash. Është e turpshme që njerëz që shkojnë për të shijuar një nga peizazhet më të bukura të vendit, largohen duke lënë pas vetëm ndotje dhe shkatërrim.
Nga ana tjetër, institucionet vazhdojnë të flenë mbi këtë katastrofë mjedisore. Mjaftohen me postime propagandistike për bukuritë e Komanit dhe fushata për turizmin, ndërsa askush nuk garanton pastrimin e liqenit, kontrollin e mbetjeve apo ndëshkimin e ndotësve. Nuk mjafton të promovosh Shqipërinë si destinacion turistik; duhet ta mbrosh atë çdo ditë.
Nëse vazhdohet me këtë indiferencë, shumë shpejt Liqeni i Komanit nuk do të njihet më si një perlë e Alpeve Shqiptare, por si simbol i mënyrës se si dimë të shkatërrojmë atë që natyra na ka falur falas.