Niku i tenderave pjesë e grupit të Gys Agasit? Merret nën hetim nga SPAK

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 18.07.2026, 11:11

SPAK ka nisur zyrtarisht procedimin penal ndaj anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Kreshnik Tërnova, i cili dyshohet për një sërë shkeljesh të rënda gjatë ushtrimit të detyrës.

Tërnova duket se ka qenë pjesë e grupit të Gys Agasit... ndërsa shefi i tij Jonaid Myzyri u nxorr i pastër nga SPAK e u emërua drejtor tenderash, duhet parë se mos Tërnova bëhet kokë turku për t'i shfryrë inatin popullit e për të pushuar kritikat e qytetarëve ndaj vendimeve kontroverse të SPAK kohëve të fundit për funksionarët publikë.

Hetimi është përqendruar fillimisht mbi procedurat e tenderimit për asgjësimin e mbetjeve spitalore në Spitalin e Dibrës, ku Tërnova akuzohet për korrupsion, deklarim të rremë dhe shkelje të barazisë në tendera, dyshime që erdhën si pasojë e gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Përtej rastit në Dibër, pozita e Tërnovës është rënduar edhe nga përfshirja e emrit të tij në hetimet e SPAK-ut për skandalin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Prokurorët e posaçëm e kanë marrë atë në pyetje lidhur me marrëdhëniet e tij me biznesmenin Ermal Beqiri, i cili aktualisht është shpallur në kërkim. Prokuroria dyshon se në AKSHI ka vepruar një grup i strukturuar që përcaktonte fituesit e prokurimeve përmes presionit, kërcënimeve dhe madje edhe rrëmbimeve ndaj operatorëve rivalë, siç është rasti i biznesmenit Gerond Meçe.

Aktualisht, çështja vijon të jetë në fazë hetimore, ndërkohë që drejtësia po përballet me një sërë personash të përfshirë në këtë skemë. Përderisa Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi vijojnë të mbeten në arrati, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është vendosur nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit