Një biznes në qytetin e Korçës ka rënë pre e një vjedhjeje, ndërsa pronari i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar rastin dhe për të paralajmëruar edhe bizneset e tjera.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme në optikën që administron. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur një klient merr nga vitrina një palë syze dielli të markës 'Meta Evo One' dhe i fut në xhep, pa i paguar.
Pronari bën me dije se syzet e vjedhura kanë një vlerë prej rreth 1,150 euro, duke e konsideruar dëmin të konsiderueshëm.
"Nëse mundeni publikojeni. Kërkojmë jo vetëm kthimin e produktit të marrë nga ky person, por mbi të gjitha duam të paralajmërojmë bizneset e tjera që të bëjnë kujdes. Është hera e parë që na ndodh diçka e tillë në më shumë se 10 vite punë", shprehet qytetari në mesazhin e dërguar për JOQ Albania.
Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë shihet personi i dyshuar teksa afrohet pranë vitrinës, merr syzet dhe më pas i fsheh në xhep, duke u larguar nga dyqani.
Pronari shpreson që publikimi i pamjeve të ndihmojë në identifikimin e autorit dhe në rikthimin e produktit të vjedhur, ndërsa u bën thirrje edhe bizneseve të tjera në Korçë që të tregohen të kujdesshme nëse përballen me të njëjtin person.