Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një 74-vjeçar nga Erseka, i cili pretendon se prej më shumë se dy muajsh i është sekuestruar automjeti pa iu dhënë një shpjegim të qartë nga autoritetet.
Sipas qytetarit, ngjarja ka ndodhur më 17 maj 2026. Ai tregon se në momentin kur po lëvizte me biçikletë, është ndaluar nga efektivët e policisë, të cilët i kanë kërkuar t'i shoqëronte deri në banesë, pasi do t'i sekuestronin automjetin.
Në pamjet e dërguara në redaksinë tonë shihet momenti kur policia hyn në oborrin e banesës dhe merr automjetin tip Mercedez-Benz i viteve 80-të, ndërsa qytetari pretendon se nuk i është paraqitur asnjë mandat apo dokument që të justifikonte këtë veprim.
"Në datën 17 maj më ndaloi policia në mes të rrugës, unë isha me biçikletë, dhe më thanë se do të ma sekuestronin makinën. Erdhi policia, e nxorën makinën nga oborri dhe ma morën. Më mbajtën edhe 6 orë në komisariat. Jam 74 vjeç dhe kërkoj drejtësi për këtë rast", shprehet ai në videon e dërguar për JOQ Albania.
Qytetari thotë se ka shkuar disa herë në Komisariatin e Policisë në Ersekë për të kërkuar sqarime dhe për të pyetur mbi fatin e automjetit, por pretendon se nuk është pritur dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare. Ai shton se nuk ka kontaktuar ende me një avokat.
Sipas tij, i vetmi pretendim që i është bërë verbalisht ka qenë se automjeti ishte pa dokumentacion. Megjithatë, 74-vjeçari këmbëngul se makina nuk përdorej në qarkullim, por mbahej si relike në oborrin e banesës.
"Kur pyeta pse po ma merrnin, nuk më dhanë asnjë arsye. Më thanë vetëm se do ta sekuestronin dhe, nëse kundërshtoja, do të njoftonin Policinë Rrugore të Korçës për të më vendosur gjobë. Makina ishte relike, e mbaja në oborr dhe nuk e përdorja në rrugë", pretendon ai.
Prej datës së sekuestrimit, qytetari thotë se automjeti ende nuk i është kthyer dhe se është në pritje të një përgjigjeje nga institucionet.
JOQ Albania publikon këtë denoncim duke i lënë hapësirë edhe Policisë së Shtetit për të dhënë versionin zyrtar mbi rrethanat e sekuestrimit të automjetit dhe procedurat e ndjekura në këtë rast.