FIFA nis hetim disiplinor ndaj Argjentinës pas banderolës për politike për Malvinat

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.07.2026, 16:23

FIFA pritet të hapë një procedim disiplinor ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), pas një incidenti të ndodhur menjëherë pas fitores 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.

Pas përfundimit të ndeshjes në Atlanta, disa futbollistë të Argjentinës festuan kualifikimin në finale duke shfaqur një pankartë me mesazhin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”), duke iu referuar konfliktit dhe mosmarrëveshjes së gjatë mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar për Ishujt Falkland.

Sipas rregulloreve të FIFA-s, mesazhet me përmbajtje politike nuk lejohen të shfaqen në stadiume gjatë aktiviteteve zyrtare, ndaj organi drejtues i futbollit botëror pritet të nisë një hetim ndaj federatës argjentinase.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, procedura disiplinore nuk pritet të përfundojë përpara finales së Botërorit. Kjo do të thotë se lojtarët e përfshirë nuk rrezikojnë pezullime dhe do të jenë të gatshëm për përballjen për trofeun ndaj Spanjës.

Futbollistët e parë që u fotografuan me pankartën ishin Giovani Lo Celso dhe Nicolás Otamendi, ndërsa më pas iu bashkua edhe Lisandro Martínez. Banderola u vendos më vonë në fushë nga Lo Celso, pasi fillimisht disa prej lojtarëve e kishin lënë mënjanë.

Në këtë fazë, masat më të mundshme ndaj AFA-s konsiderohen një gjobë financiare ose një paralajmërim zyrtar, ndërsa nuk ka asnjë sinjal për ndëshkime sportive ndaj lojtarëve.

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës do të luhet më 19 korrik, ndërsa vendimi përfundimtar i FIFA-s për këtë çështje pritet të merret pas mbylljes së turneut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit