Një tregtar frutash i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim që, sipas tij, ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e disa shalqinjve që po tregtohen në vend.
Ai tregon se, ndonëse çmimi i shalqirit me shumicë ka rënë në rreth 10 lekë për kilogram dhe në treg shitet edhe me 20 lekë, ai kishte zgjedhur ta blinte vetë me 20 lekë/kg, pasi ishte siguruar se bëhej fjalë për një produkt cilësor nga Fieri, të kultivuar pa përdorim të tepruar të kimikateve.
Sipas tregtarit, situata mori një kthesë të papritur kur pranë tezgës së tij u paraqit një klient që mbante me vete një pajisje portative për matjen e nitrateve dhe kërkoi të kontrollonte shalqirin para se ta blinte.
Ai tregon se pajisja shënoi rreth 670 mg/kg nitrate, ndërkohë që, sipas informacionit që i është dhënë nga klienti, kufiri i rekomanduar është rreth 60 mg/kg. Tregtari shton se i njëjti aparat u përdor edhe në një pikë tjetër shitjeje rreth 500 metra larg, ku rezultati i shfaqur ishte edhe më i lartë.
Në bisedën me redaksinë tonë, tregtari pranon se nuk mund të garantojë shkencërisht saktësinë e pajisjes, por ngre dyshimin se matjet mund të jenë reale, pasi, sipas tij, i njëjti aparat ka dhënë vlera normale gjatë matjes së rrushit. Ai shton gjithashtu se pajisja, sipas klientit, ishte blerë në Angli.
Tregtari rrëfen se pas këtij momenti është ndier i tronditur, pasi prej ditësh kishte konsumuar vetë sasi të konsiderueshme shalqiri dhe kishte përjetuar probleme shëndetësore, të cilat ai dyshon se mund të kenë lidhje me këtë situatë. Megjithatë, një lidhje e tillë nuk është e provuar dhe kërkon verifikim mjekësor dhe laboratorik.
Ai kërkon që institucionet përgjegjëse të kryejnë analiza zyrtare në terren dhe kontrolle më të shpeshta për produktet që dalin në treg, në mënyrë që konsumatorët të kenë garanci për sigurinë ushqimore.
JOQ Albania publikon këtë denoncim si një shqetësim të ngritur nga një qytetar dhe fton institucionet përgjegjëse, veçanërisht Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe strukturat e tjera të kontrollit, të verifikojnë rastin përmes analizave laboratorike, në mënyrë që të sqarohet nëse produktet e tregtuara përmbajnë nivele nitratesh jashtë normave të lejuara.
Denoncimi i plotë i mbërritur në redaksi:
Përshëndetje JOQ! Unë që po ju shkruaj jam një tregtar Aktualisht shes shallqi. Pavarësisht se në treg çmimi i tij me shumicë ka rënë në 10 lekë dhe në pakicë shitet me tabela për 20 lekë, unë zgjodha ta blej më shtrenjtë me shumicë – plot 20 lekë për kilogram. E bëra në mirëbesim, duke më thënë se ishte shallqi i zgjedhur nga Fieri, i paprekur nga shartesat dhe pa kimikate. Zgjodha të paguaj më shumë, vetëm që t'u ofroja njerëzve më të mirën. Por sot gjithçka ndryshoi. Te tezga ime erdhi një blerës i cili më tha: "Unë vuaj nga mëlçia dhe nuk mund të konsumoj nitrate. A mund ta masim shallqiun tënd me aparat?" I thashë pa asnjë problem, madje më bën nder. Rezultatet që nxori aparati ishin shokuese! Limiti i lejuar është 60 mg/kg, ndërsa shallqi im doli 670 mg/kg (mbi 11 herë mbi normën)! Ndërsa te një tregtar tjetër, vetëm 500 metra larg meje, i njëjti aparat shënoi shifrën e frikshme prej 1200 mg/kg! E pyeta këtë blerës: "Çfarë simptomash të jep trupi kur ha nitrate të tilla?" Ai më tha se të dhembin e të ngurtësohen kockat e këmbët dhe ndihesh plotësisht i këputur. Në atë moment shtanga. Unë vetë vuaj nga mëlçia dhe prej ditësh kisha pikërisht këto dhimbje të tmerrshme këmbësh dhe këputje trupi, pa më shkuar kurrë mendja se po helmohesha nga shallqiun që po konsumoja me sasi të mëdha, duke menduar se po haja fruta për shëndet. Unë besoj fort te drejtësia hyjnore. Sot i kërkoj falje të madhit Zot dhe të gjithë klientëve të mi për këtë gabim të bërë pa vetëdije! Ndiej një peshë të rëndë në shpirt kur mendoj se kam helmuar veten, familjen time dhe fëmijët e njerëzve që kanë paguar lekët e djersës për të marrë fruta, dhe në fund kanë çuar helm në shtëpi. Kam dy mesazhe të prera: Për fermerët që dalin në televizione duke bërë skena e duke shtypur shallqinj me zetor: Në vend të këtyre shfaqjeve, dilni para blerësve me fletë analizash dhe me prova të pakundërshtueshme që produkti juaj është vërtet bio! Mos u ankoni se nuk ju shitet malli, sepse në këtë vend ka plot njerëz që janë gati të paguajnë çdo çmim, mjafton që produkti të jetë i pastër dhe i shëndetshëm! Për shtetin dhe institucionet: Mjaft punuat me aksione selektive sa për të larë duart para kamerave! Kjo mënyrë nuk ndryshon asgjë. Ndaloni helmin që në origjinë, përpara se të dalë në treg. Njerëzit po sëmuren e po vdesin përditë nga sëmundje që shumë thjesht mund të shmangeshin nëse ju do të bënit detyrën dhe do të na mbronit shëndetin!

