Plagosja me thikë në poliklinikën e Shkodrës, arrestohet 18-vjeçari bashkë me babain

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.07.2026, 17:30

Policia e Shkodrës ka arrestuar 18-vjeçarin Arvin Fregjaj, i dyshuar si autori i plagosjes me thikë të 32-vjeçarit Vildan Kepëca, ngjarje e ndodhur paraditen e sotme brenda ambienteve të poliklinikës në lagjen “Vasil Shanto”.

I riu akuzohet për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armës së ftohtë”. Në pranga ka përfunduar edhe babai i tij, i dyshuar se ka bashkëpunuar në ngjarje dhe ka mbështetur të birin pas konfliktit.

Sipas hetimeve paraprake, rreth orës 11:30, pas një konflikti për motive të dobëta, 18-vjeçari ka goditur me thikë 32-vjeçarin Kepëca, i cili është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Pas marrjes së njoftimit, efektivët e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje. Gjatë veprimeve hetimore, policia ka marrë informacion se Arben Kepëca, 41 vjeç, vëllai i të plagosurit, kishte marrë një armë zjarri pistoletë me fishek në fole dhe ishte nisur në kërkim të autorit të dyshuar.

Ndërhyrja e policisë ka parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Sipas autoriteteve, 41-vjeçari ka tentuar të largohet dhe ka hedhur armën që mbante me vete, por është kapur dhe arrestuar në flagrancë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit