Një 31-vjeçar është vënë në pranga në tunelin e Skërficës, pasi u kap duke transportuar katër armë zjarri pistoleta të fshehura në automjetin e tij.
I arrestuari, me precedent të mëparshëm në fushën e narkotikëve, u ndalua pas një hetimi të kryer me metoda speciale nga autoritetet. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët janë trafikuar në pjesë të ndryshme dhe më pas janë montuar në Shqipëri, me qëllim që t’i shiteshin një grupi kriminal në Sarandë.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 31-vjeçari, në dyshemenë e makinës u gjetën të fshehura katër pistoletat, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin.
Sipas autoriteteve, 31-vjeçari K. B., banues në Tiranë, ishte mbajtur nën vëzhgim nga policia, derisa u ndalua në tunelin e Skërficës, ku u zbulua transporti i armëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e trafikut të armëve dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.