Një banor i Kuçovës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që ai e cilëson si një abuzim nga rrjeti i ujësjellësit në qytet.
Sipas qytetarit, në tubacionet e ujit nuk kalon vetëm ujë, por edhe ajër, gjë që, sipas tij, bën që sahati i ujit të vazhdojë të regjistrojë konsum dhe si pasojë faturat të fryhen artificialisht.
"Shiheni pak vjedhjen që bën rrjeti i ujësjellësit në Kuçovë. Fusin ajër në tubacione që të xhirojë më tepër sahati dhe të na fryhen shpenzimet," shkruan denoncuesi.
Banori kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe të sqarojnë nëse pretendimet e ngritura qëndrojnë, pasi një praktikë e tillë, nëse provohet, do të rëndonte padrejtësisht xhepat e qytetarëve.
JOQ Albania publikon shqetësimin e qytetarit duke i lënë fjalën autoriteteve për të kryer verifikimet e nevojshme dhe për të dhënë një reagim zyrtar mbi këtë denoncim.