Pamje të reja kanë zbuluar më shumë detaje nga incidenti mes Jude Bellingham dhe Valentin Barcos, që ndodhi menjëherë pas përfundimit të gjysmëfinales së Kupës së Botës, ku Argjentina triumfoi 2-1 ndaj Anglisë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Barco, edhe pse nuk u aktivizua në këtë sfidë, hyri me vrap në fushë për të festuar golin e barazimit të Enzo Fernandez në minutën e 85-të. Ndryshe nga pjesa tjetër e lojtarëve rezervë, 21-vjeçari festoi shumë pranë futbollistëve anglezë, gjë që krijoi tension.
Pamjet tregojnë se fillimisht Barco u shty nga mbrojtësi John Stones, përpara se të largohej drejt pankinës. Ky episod duket se ndikoi edhe në reagimin e Jude Bellingham pas vërshëllimës përfundimtare.
Mesfushori anglez e goditi Barcon me shuplakë, ndërsa futbollisti argjentinas reagoi menjëherë duke e shtyrë. Situata u përshkallëzua për pak çaste, derisa ndërhyri kapiteni Nicolas Otamendi për të qetësuar lojtarët dhe për të shmangur një konflikt më të madh.
Arbitrat nuk e konstatuan incidentin në momentin kur ndodhi, por FIFA mund ta analizojë çështjen përmes pamjeve televizive dhe të vendosë masa disiplinore. Në rast ndëshkimi, Bellingham rrezikon të humbasë sfidën për vendin e tretë ndaj Francës, që do të luhet të shtunën.
Barco është një emër i njohur për tifozët e Premier League, pasi ka zhvilluar shtatë ndeshje me Brighton. Verën e kaluar ai u transferua te Strasbourg, ku spikati si mbrojtës i majtë dhe mesfushor. Sipas raportimeve, 21-vjeçari pritet t’i bashkohet Chelseat gjatë kësaj vere, megjithëse marrëveshja ende nuk është bërë zyrtare.