Shqipëria ndër më të prekurat në Europë nga rënia e lindjeve dhe popullsisë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.07.2026, 12:09

Tendencat e reja demografike në Evropë tregojnë një situatë shqetësuese për Shqipërinë, e cila renditet ndër vendet më të prekura nga kombinimi i rënies së lindjeve dhe emigrimit të madh të të rinjve. Sipas Raportit Botëror të Migracionit 2026, largimi i popullsisë në moshë riprodhuese po ndikon drejtpërdrejt në uljen e numrit të lindjeve të mundshme dhe po përshpejton plakjen e shoqërisë. Shqipëria, së bashku me vende si Lituania, Moldavia dhe Bosnjë-Hercegovina, po përballet me humbje të vazhdueshme të kapitalit njerëzor për shkak të emigracionit.

Raporti thekson se Shqipëria ka një normë lindshmërie nën nivelin e zëvendësimit të brezave, ndërsa ikja e të rinjve e rëndon edhe më shumë këtë problem. Ndryshe nga disa vende të Evropës Perëndimore, si Gjermania dhe Italia, që po përpiqen të kompensojnë rënien e popullsisë përmes emigracionit, vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me një largim të vazhdueshëm të forcës së punës dhe të familjeve të reja.

Të dhënat për periudhën 2005-2024 tregojnë se ndërsa vende si Luksemburgu, Malta dhe Irlanda kanë shënuar rritje të popullsisë, shumë shtete të Evropës Lindore dhe Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, kanë pësuar rënie të ndjeshme. Ekspertët vlerësojnë se pa politika konkrete për nxitjen e lindshmërisë, mbështetjen e familjeve dhe frenimin e emigrimit, Shqipëria rrezikon të përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë dhe mungesë të burimeve njerëzore në dekadat e ardhshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit