Një qytetare ka ndarë shqetësimin e saj lidhur me vështirësitë që, sipas saj, hasin punëkërkuesit në tregun e punës.
Ajo shprehet se, megjithëse flitet vazhdimisht për vende të lira pune, shumë persona dërgojnë CV-të e tyre pa marrë asnjë përgjigje, ndërsa njoftimet për punësim shpesh mbeten pa një proces real rekrutimi.
Qytetarja thotë gjithashtu se, në rastet kur kandidatët kontaktohen, u kërkohet të përballojnë ngarkesën e punës së disa personave, me paga që mezi mbulojnë kostot e jetesës dhe me orë shtesë që, sipas saj, nuk paguhen.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me kërkesën për eksperiencë pune edhe ndaj të rinjve që sapo kanë përfunduar studimet. Sipas saj, kjo krijon një rreth vicioz, pasi pa mundësinë e parë për t’u punësuar është e pamundur të fitohet eksperienca e kërkuar.
Në përfundim, qytetarja thekson se këto vështirësi ndikojnë në rritjen e pakënaqësisë, largimin e të rinjve nga vendi dhe humbjen e besimit te premtimet për të ardhmen. Ajo nënvizon se nuk mjafton të deklarohet se ka vende pune, por, sipas saj, nevojiten punësime me dinjitet, paga të drejta dhe respekt për çdo punëkërkues.
Mesazhi i qytetares:
Punë ka… apo vetëm njoftime? Na thonë çdo ditë se ka punë. Atëherë pse qindra njerëz dërgojnë CV dhe nuk marrin asnjë përgjigje? Pse publikohen njoftime, por askush nuk kontaktohet?
Kur më në fund të thërrasin, shpesh kërkojnë një njeri të bëjë punën e dy ose tre vetëve, me paga që mezi përballojnë jetesën dhe me orë shtesë që nuk paguhen. Mbaron shkollën, të kërkojnë eksperiencë. Po si fitohet eksperienca, kur askush nuk të jep mundësinë e parë?
Pastaj habitemi pse protestojnë qytetarët, pse të rinjtë largohen dhe pse nuk besojnë më te premtimet për të ardhmen. Nuk mjafton të thuash “ka punë”. Duhet të ketë punë me dinjitet, paga të drejta dhe respekt për çdo punëkërkues.Anonim.