Qindra korrierë të platformave Glovo dhe Deliveroo zhvilluan dje një grevë dhe protestë në Milano, në shenjë kundërshtimi ndaj mungesës së kompensimit financiar gjatë orëve kur dërgesat pezullohen për shkak të temperaturave të larta.
Protesta u organizua pas hyrjes në fuqi të urdhëresës së Bashkisë së Milanos, e cila ndalon ose kufizon dërgesat me biçikletë në orët më të nxehta të ditës për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve. Korrierët theksojnë se, megjithëse masa është e nevojshme për sigurinë e tyre, ajo nuk duhet t'i lërë pa të ardhura.
Marshimi nisi nga sheshi Duca d'Aosta, pranë Stacionit Qendror, dhe përshkoi disa nga rrugët kryesore të qytetit, me ndalesa pranë selisë së Glovo dhe në sheshin XXV Aprile, për t'u mbyllur në Largo Cairoli.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si: "Nuk punojmë për paga mjerane" dhe "Edhe korrierët duhet të hanë", ndërsa pjesëmarrësit kërkuan paga më të drejta, mbrojtje më të madhe sociale dhe kushte më të sigurta pune.
Sindikata Nidil-Cgil, organizatore e protestës, kërkon që platformat e shpërndarjes të garantojnë kompensim ekonomik për orët e humbura për shkak të vapës ekstreme, si dhe të hapin negociata për përmirësimin e pagave, kushteve të punës, sigurisë dhe dinjitetit të këtij profesioni.
Një nga çështjet kryesore të ngritura nga korrierët e Glovo lidhet me sistemin e pagesës. Sipas tyre, shpërblimi është ulur në një tarifë fikse prej vetëm 3 eurosh për dërgesë, pavarësisht distancës që përshkojnë, çka, sipas tyre, e bën punën gjithnjë e më pak të përballueshme.
Ndërkohë, shoqata Assodelivery, që përfaqëson platformat e shpërndarjes, deklaroi se kompanitë janë përshtatur me masat kundër vapës të vendosura nga autoritetet lokale. Ajo bëri thirrje për dialog me sindikatat dhe njoftoi se ka hartuar udhëzime të reja që përfshijnë mbështetje për blerjen e ujit, kripërave minerale dhe pajisjeve të nevojshme për punë në temperatura të larta, si edhe trajnime për parandalimin e rreziqeve nga i nxehti.