Detaje të reja janë zbardhur nga fluturimi i kompanisë Ryanair nga Londra Stansted drejt Tiranës, i cili u kthye në një udhëtim dramatik për pasagjerët. Fluturimi RK8288, i nisur më 3 qershor, duhej të zgjaste vetëm rreth tre orë, por përfundoi pas afro 12 orësh për shkak të motit të keq, stuhive të forta dhe dy devijimeve të njëpasnjëshme. Pasagjerët mbetën për orë të tëra në pasiguri, pasi avioni fillimisht u devijua drejt Brindisit në Itali, ku qëndroi rreth tre orë në pistë, dhe më pas, kur u mendua se po nisej drejt Tiranës, piloti njoftoi vetëm pak minuta para mbërritjes se destinacioni kishte ndryshuar sërish dhe avioni do të ulej në Selanik të Greqisë.
Situata në bord u përkeqësua pas orëve të gjata pritjeje dhe mungesës së informacionit. Sipas dëshmive të pasagjerëve, disa persona humbën durimin dhe nisën të përballeshin me ekuipazhin, ndërsa një grup burrash u afrua pranë kabinës së pilotëve duke kërkuar që kapiteni të dilte dhe të jepte shpjegime. “Ai është frikacak, piloti duhet të dalë dhe të përballet me ne si burrë”, raportohet të kenë thënë disa prej tyre. Pas uljes në Selanik, rreth 12 pasagjerë kërkuan të zbrisnin nga avioni, duke thënë se nuk mund të mbaheshin më brenda, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë greke për të menaxhuar situatën. Gjatë fluturimit pati edhe incidente të tjera: një pasagjer i dehur nuk pranoi të qëndronte në vendin e tij dhe u kthye nga stjuardesa në sedilje, ndërsa një tjetër u sëmur para nisjes dhe u kthye nga tualeti pa bluzë. Pasagjerët thanë gjithashtu se pas disa orësh nuk kishte më ushqime dhe pije në dispozicion, duke bërë që disa prej tyre të ndanin mes tyre ato pak rezerva që kishin.
Ky fluturim vjen pas një tjetër ngjarjeje të rëndë të lidhur me një avion Ryanair, ku një pasagjer serb u përfshi në një incident të frikshëm pasi një dritare e kabinës u dëmtua gjatë një fluturimi nga Selaniku. Sipas raportimeve, burri u “thith nga ajri” deri në pjesën e sipërme të trupit, por u shpëtua nga një shqiptar pasi një defekt në avion shkaktoi thyerjen e xhamit të dritares dhe aktivizimin e maskave të oksigjenit.