Një emigrant shqiptar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që ai e cilëson si një mashtrim të kryer përmes një agjencie martesore, duke pretenduar se ka paguar para për një shërbim që nuk është realizuar.
Sipas denoncuesit, gjithçka nisi pasi ra në kontakt me një person nga Kosova, të identifikuar prej tij si Çlirim Mehmeti, i cili, sipas pretendimeve të qytetarit, i premtoi se nëpërmjet agjencisë së tij do ta ndihmonte të krijonte një lidhje serioze me qëllim martese.
Denoncuesi thotë se shuma totale e kërkuar ishte 200 euro, por për shkak se nuk ishte plotësisht i bindur, vendosi t'i parapaguante vetëm 100 euro, ndërsa pjesën tjetër do ta paguante vetëm pasi shërbimi të realizohej.
Ai i ka vënë në dispozicion redaksisë faturën e pagesës së kryer përmes Western Union, ku, sipas tij, figuron edhe emri i personit që ka marrë shumën.
Pas pagesës, qytetari pretendon se komunikimi me personin në fjalë u kufizua në vetëm disa përgjigje. Më pas iu dërgua një numër telefoni i një vajze, me të cilën zhvilloi vetëm dy biseda, një telefonatë dhe një komunikim me mesazhe.
Sipas denoncuesit, pas këtyre kontakteve, vajza i tha se nëna e saj ishte e sëmurë rëndë dhe kishte nevojë për para për një operacion. Kjo histori, sipas tij, ngriti dyshime të forta, pasi nuk i dukej bindëse.
"Përpiqesha të kuptoja nëse personi ishte real dhe kërkova të komunikonim edhe me video, por kjo nuk ndodhi. Pas kësaj, kontakti u ndërpre plotësisht dhe nuk mora më asnjë përgjigje", shprehet ai në videon e dërguar në redaksinë tonë.
Qytetari thotë se nuk e ka bërë denoncimin për të rikuperuar 100 eurot e humbura, por për të paralajmëruar qytetarët e tjerë, pasi pretendon se ka mësuar edhe për persona të tjerë që kanë rënë pre e të njëjtës skemë.
"100 eurot ndoshta nuk do t'i marr më kurrë. Dua vetëm që rasti të bëhet publik, në mënyrë që të mos bien viktimë edhe njerëz të tjerë", shprehet ai.
JOQ Albania ka parë faturën e pagesës dhe materialet që denoncuesi ka vënë në dispozicion të redaksisë. Duke qenë se bëhet fjalë për pretendime të një qytetari, redaksia nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tyre.
Në funksion të balancës dhe transparencës, JOQ Albania i bën thirrje edhe Çlirim Mehmetit, nëse dëshiron, të paraqesë versionin e tij të ngjarjes. Çdo reagim apo sqarim nga ana e tij do të publikohet i plotë në respekt të etikës profesionale dhe parimit të dëgjimit të të dyja palëve.