Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Durrës, i cili pretendon se një person i panjohur është paraqitur dy herë brenda tre ditëve pranë banesës së tij, duke kërkuar informacione për të dhe për vajzën e tij të mitur.
Sipas qytetarit, në mungesë të të rriturve, personi ka trokitur në derën e oborrit dhe ka komunikuar me vajzën e mitur, të cilës i ka bërë pyetje për të dhënat e saj personale, si shkolla që ndjek, numri i telefonit dhe detaje të tjera. Pamjet e kamerave të sigurisë, të dërguara në redaksinë tonë, tregojnë momentin kur ai hyn në oborr dhe flet me të miturën.
Qytetari shprehet se nuk e njeh personin që shfaqet në pamje, por dyshon se ai mund të jetë dërguar nga persona të tjerë për të mbledhur informacione rreth familjes së tij. Ai thekson se të gjitha detajet dhe dyshimet ia ka vënë në dispozicion Policisë dhe Prokurorisë, për të mos dëmtuar hetimet.
Sipas tij, familja ka bërë edhe më herët kallëzime për raste që i konsideron si përndjekje, por pretendon se deri më tani nuk ka pasur reagimin e pritur nga institucionet.
"Personi që vjen në shtëpi nuk e di kush është. Qëllimi, sipas asaj që ka ndodhur, ishte të merrte informacione për jetën e vajzës, çfarë bën, ku shkollohet, numrin e telefonit dhe të dhëna të tjera. Të gjitha i kemi kallëzuar në polici. Ju lutem publikojeni, sepse dua që rasti të bëhet publik dhe institucionet të reagojnë", shprehet qytetari për JOQ Albania.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Durrësit dhe Prokurorisë që të verifikojnë me prioritet këtë denoncim dhe të sqarojnë rrethanat e ngjarjes, në mënyrë që të garantohet siguria e familjes dhe, mbi të gjitha, e të miturës.