Kur flitet për miliona në Shqipëri, shifrat nuk janë thjesht numra në letër janë skenarë të gatshëm për filma me metrazh të gjatë, ku protagonistët kryesorë janë gjithmonë të njëjtët "yje" të qeverisë. Këtë herë, furtuna e madhe e naftës dhe e parave të "Bankers Petroleum" ka marrë përpara askënd tjetër veçse "super-ministren" dhe ish-zv.kryeministren Belinda Balluku. Një skandal që peshon plot 123 milionë euro dhe që premton të trazojë keq ujërat e qeta të Rilindjes.
Dhe si për ta bërë këtë histori edhe më "pikante", në skenë ka hyrë një kallëzim i ri në SPAK, i cili është bashkuar me dosjen ekzistuese të hetimit. Praktikisht, ajo çka filloi si një hetim i thjeshtë, tani po kthehet në një vorbull të madhe ku Belinda duket se është vetëm "qershia mbi tortë".
Por, si në çdo "festë" të madhe me miliona në mes, Belinda nuk mund të rrinte vetëm!
Në këtë rrethrrotullim akuzash janë ftuar edhe dy figura të tjera shumë të rëndësishme të portofolit të shtetit: ish-ministrja e Financave Anila Denaj dhe ministri aktual Petrit Malaj. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë nga ato që të bëjnë të fërkosh sytë:
Duket sikur kemi të bëjmë me një "dorë të ngrohtë" kolektive që ka menaxhuar aq "mirë" çështjen "Bankers", saqë shtetit shqiptar i mungojnë sot plot 123 milionë euro të cilat ende nuk janë arkëtuar.
Pyetja që shtrohet natyrshëm në këtë mes është: si ka mundësi që këto miliona "avullojnë" kaq lehtë dhe askush nuk mban përgjegjësi derisa plas sherri në SPAK? Ndërsa zyrtarët tanë shijojnë zyrat luksoze dhe sukseset imagjinare në rrjetet sociale, buxheti i shtetit dhe rrjedhimisht xhepat e shqiptarëvem pëson një goditje që do të gjunjëzonte çdo ekonomi normale. Kjo vorbull tani nuk po mbulon thjesht emra, por po nxjerr zbuluar skemën se si pasuritë tona kombëtare kthehen në "pula me vezë të arta" për një grusht njerëzish, dhe fatura të kripura për popullin.
Tani, i gjithë presioni dhe topi i nxehtë është në fushën e SPAK-ut. Oficerët e policisë gjyqësore e konfirmuan se dosjet janë bërë njësh, por pyetja mbetet: a do të ketë guxim drejtësia e re të shkojë deri në fund pa u ndikuar nga "era" e ngrohtë e politikës?
Populli, si gjithmonë, mbetet spektator i këtij teatri me bileta jashtëzakonisht të shtrenjta, duke pritur të shohë nëse kjo situatë do t'i marrë vërtet me vete këta peshq të mëdhenj, apo thjesht do të shkrihet nën diellin e verës së pushtetit.