Nëse keni menduar se ligjet e fizikës dhe inxhinierisë në këtë vend janë të panegociueshme, me siguri nuk keni dëgjuar ende për projektin më të ri që po tmerron banorët e “Komunës së Parisit” në Rrugën e Kosovarëve.
Kryeqyteti ynë po provon se me vullnet të mirë dhe, mbi të gjitha, me një firmë të fortë nga lart, edhe tubat magjistralë të ujit mund të “përkulen” e të bëhen me bërryla, mjafton që të mos guxojnë t’i zënë rrugën “zhvillimit” të kullës gjigante “Komuna Building”.
Kjo monstër prej 24 katesh mbi tokë dhe plot 6 kate parkimi nëntokësor ka marrë bekimin zyrtar me firmat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, ku spikasin Edi Rama si Kryetar i KKT-së dhe Belinda Balluku si Ministre e Infrastrukturës.
Por kush fshihet pas kësaj kompanie që ka guximin të luajë me arteriet jetike të Tiranës?
Bëhet fjalë për shoqërinë zhvilluese “TDT & Partners” SHPK, e cila zotërohet në pjesë të barabarta nga dy ortakë, Glendi Abdi dhe Dajlan Avdia.
Këta zotërinj nuk janë emra të panjohur; përkundrazi, lidhjet e tyre shtrihen thellë në kupolën e pushtetit dhe botën e biznesit të dyshimtë.
Dajlan Avdia njihet gjerësisht si ish-aksioneri i “APEX”, kompanisë gjigante të lojërave të fatit (bixhozit). Skema e tij e preferuar, e denoncuar fort edhe nga opozita, ka qenë pikërisht tranzicioni i shpejtë i parave nga bota e bixhozit direkt te betoni dhe kullat, duke marrë brenda pak muajsh leje për kulla shumëkatëshe në zonat më të shtrenjta të Tiranës, si në Ish-Bllok, te Kulla e Sahatit dhe pas Presidencës.
Si për të konfirmuar lidhjet e ngushta me familjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, zbulimet e fundit kanë nxjerrë në dritë se vëllai i këtij të fundit, Arbër Veliaj, përmes kompanisë së tij “Gogël”, kishte porositur një apartament e garazhe me vlerë mbi 800 mijë euro pikërisht në një tjetër ndërtesë të ndërtuar nga “TDT & Partners” pranë Kullës së Sahatit.
Ky rrjet interesash dhe “nderesh” të ndërsjella shpjegon më së miri se pse këta ndërtues trajtohen si të paprekshëm nga shteti.
Gjatë gërmimeve të thella për themelet e kullës në Komunë të Parisit, fadromat e tyre janë ndeshur me një pengesë “të vogël”: tubi magjistral metalik i ujit, një nga nyjet kryesore që furnizon me ujë gjithë Tiranën.
Në një vend normal, ky zbulim do të sillte pezullimin e menjëhershëm të punimeve për të shmangur një katastrofë të mundshme urbane.
Por në Tiranën e oligarkisë, ku “TDT & Partners” dhe kompanitë e tyre si “Invest Society” apo “Techno Alb” lundrojnë në miliona euro leje ndërtimi, zgjidhja që po shqyrtohet në fshehtësi absolute, në bashkëpunim të ngushtë me UKT-në, është aq absurde sa të duket e pabesueshme: prerja e linjës magjistrale dhe devijimi i saj me “bërryla” rreth e qark themeleve të kullës, vetëm që të bëhet i mundur ndërtimi i plotë i objektit.
Për t’i vënë kapakun kësaj afere dhe për ta mbajtur skandalin të fshehur nga sytë e opinionit publik, kompania ka vendosur fadromat si bllokadë vizuale, duke u përpjekur të pengojë çdo dokumentim apo filmim me dron nga qytetarët, ndërkohë që inxhinierët e UKT-së futen vjedhurazi për të bërë matje mbi tubin e zhveshur.
Kjo situatë është sa satirike, aq edhe tragjike.
Ndërsa qytetarëve po u merret fryma mes vilave private që rrethohen nga kulla betoni, uji i pijshëm tashmë duhet të kërkojë leje kalimi e të përdridhet sipas orekseve të biznesmenëve të kazinove e ndërtimit.
Nëse nesër gjysma e kryeqytetit mbetet pa ujë sepse “plasi bërryli i ri” nën peshën e 24-katëshit, fajin me siguri do t’ia faturojnë ndonjë përgjegjësi të thjeshtë turni te UKT-ja.
Ky është realiteti i dhimbshëm ku paratë e bixhozit dhe lidhjet nepotike me majat e pushtetit peshojnë shumë më tepër se siguria dhe jetesa e një qyteti të tërë.