Një aksident rrugor është regjistruar këtë të martë në zonën e Skelës, në Vlorë. Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë dy automjete, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Pas aksidentit, situata është tensionuar, pasi drejtuesit e mjeteve janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë.
Efektivët e Policisë së Vlorës kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë në Komisariat, ku po kryhen veprimet procedurale dhe po sqarohen rrethanat e plota të ngjarjes. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me aksidentin dhe konfliktin që pasoi.