Sherr mes shqiptarëve në Katania, një i plagosur rëndë dhe një tjetër në pranga

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.07.2026, 12:55

Një 34-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi me thikë mbrëmjen e djeshme pranë një lokali në Aci Bonaccorsi, në zonën e Katanias, Itali.

Sipas mediave italiane, autori i dyshuar i ngjarjes është gjithashtu shqiptar dhe u arrestua falë ndërhyrjes së shpejtë të dy karabinierëve që ndodheshin jashtë shërbimit.

I plagosuri u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët bëjnë me dije se gjendja e tij mbetet kritike dhe rrezikon jetën. Ndërkohë, agresori ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e konfliktit. Dyshohet se gjithçka ka nisur pas një përplasjeje të çastit mes dy shqiptarëve, por rrethanat e sakta ende nuk janë bërë të ditura.

Sipas autoriteteve, dy efektivët e komandës provinciale të Katanias, edhe pse nuk ishin në detyrë, ndodheshin duke lëvizur me automjetin e tyre në Via Giuseppe Garibaldi kur dëgjuan thirrjet e disa personave që njoftonin për një burrë të armatosur me thikë.

Ata reaguan menjëherë dhe pranë zonës gjetën një 38-vjeçar shqiptar, banues në Viagrande, me plagë të dukshme dhe rroba të njollosura me gjak. Sipas dyshimeve të para, ai po përpiqej të largohej drejt makinës së tij, e cila ishte parkuar aty pranë.

Karabinierët arritën ta ndalonin para se ai të largohej nga vendi i ngjarjes. Menjëherë pas kësaj, në zonë mbërritën edhe patrullat nga stacionet e Viagrandes dhe Pedaras.

Gjatë kontrollit të kryer në vendngjarje, u gjet një thikë me njolla gjaku, e hedhur pranë një automjeti të parkuar. Ndërkohë, autoritetet kanë marrë dëshmitë e personave që ndodheshin aty dhe kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Identitetet e personave të përfshirë nuk janë bërë publike nga policia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit