Një video që po bën xhiron e rrjeteve sociale tregon momentin kur një tentativë për vjedhjen e një telefoni celular dështon falë reagimit të shpejtë të një kalimtari.
Në pamje shihet një grua duke përdorur telefonin pranë një stacioni autobusi. Pak çaste më vonë, një person me motoçikletë afrohet ngadalë, duke u përpjekur t'ia rrëmbejë telefonin nga duart.
Megjithatë, një burrë që ndodhej aty pranë reagon në sekondën e fundit, arrin të kapë telefonin dhe pengon autorin e dyshuar të largohet me të. I befasuar nga reagimi, drejtuesi i motoçikletës largohet menjëherë pa arritur të marrë asgjë.
Videoja e filmuar në Malajzi është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë përgëzuar refleksin e shpejtë të kalimtarit, duke thënë se ai shmangu një vjedhje që mund të kishte ndodhur para syve të dhjetëra njerëzve.
Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as komentet e atyre që dyshojnë se pamjet mund të jenë të inskenuara. Megjithatë, autorja e publikimit është përgjigjur se, edhe nëse videoja do të ishte e realizuar për qëllime sensibilizuese, mesazhi mbetet i vlefshëm: qytetarët duhet të jenë gjithmonë vigjilentë kur përdorin telefonat në vende publike.