Familja e 52-vjeçarit Gentian Keta apelon për ndihmën e qytetarëve, pasi prej disa muajsh nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Motra e tij, Lindita, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me shpresën se publikimi i rastit do të ndihmojë në gjetjen e tij.
Sipas saj, familja nuk ka informacion të saktë për vendndodhjen e Gentianit, ndërsa shpresa e vetme mbetet që dikush ta ketë parë dhe të mund të japë një informacion që do të ndihmonte në gjetjen e tij.
Lindita tregon se rasti është referuar pranë institucioneve përkatëse dhe se i është drejtuar edhe Prokurorisë me një kërkesë zyrtare, ndërsa shpreson që publikimi i rastit të ndihmojë në sensibilizimin e opinionit publik dhe në përshpejtimin e veprimeve nga autoritetet.
Sipas informacionit që disponon familja, një mik i tyre pretendon se e ka parë Gentian Ketën në zonën e Rrugës Panorama në Tiranë gjatë muajve nëntor-dhjetor 2025, por nuk ka të dhëna të tjera konkrete mbi vendndodhjen e tij.
Në mesazhin drejtuar redaksisë, motra e tij shkruan:
"Ky është Gentiani, vëllai im. Nuk kemi informacion të saktë se ku ndodhet. Një i afërm më tha që e ka parë në Tiranë. Kush të ketë informacion të na lajmërojë. Uroj që edhe Prokuroria me këtë publikim të vihet në lëvizje."
Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mund ta kenë parë ose kanë informacion për vendndodhjen e Gentian Ketës të kontaktojnë në numrin e telefonit: +355 69 460 3056.
JOQ Albania i bashkohet apelit të familjes dhe fton këdo që ka informacion të vlefshëm të kontaktojë familjarët ose autoritetet përkatëse. Shpresojmë që ky publikim të ndihmojë në gjetjen sa më të shpejtë të 52-vjeçarit.