Një banor i lagjes 13, Shkëmbi i Kavajës, Durrës, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem që, sipas saj, vazhdon prej më shumë se një muaji, pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Në videon e mbërritur në redaksi shihet një rrjedhje e vazhdueshme uji që ka përmbytur një pjesë të rrugës, duke krijuar pellgje të mëdha dhe shqetësim për banorët. Sipas tyre, askush nuk u ka dhënë një shpjegim nëse bëhet fjalë për ujë të pijshëm, ujëra të bardha apo ujëra të zeza.
Banorët thonë se kanë kontaktuar disa herë Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD), por nuk kanë marrë përgjigje. Për këtë arsye, ata janë drejtuar edhe Policisë Bashkiake, e cila, sipas tyre, është njoftuar për situatën, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë.
"Përshëndetje, jemi nga Shkëmbi i Kavajës, Durrës, Lagjja 13. Kemi këtë problem me ujërat. Nuk e dimë nëse janë ujëra të bardha apo ujëra të zeza. Kemi lajmëruar Ujësjellësin, kemi lajmëruar Policinë Bashkiake. Ka një muaj dhe nuk ka ardhur asnjë njeri ta shikojë. Kemi frikë, sepse kemi fëmijë dhe nuk e dimë çfarë uji është", shprehet banorja në videon e dërguar.
Shqetësimi i banorëve është shtuar edhe për shkak të temperaturave të larta të verës. Ata druhen se uji i ndenjur mund të kthehet në vatër infeksionesh, të krijojë erë të rëndë dhe të favorizojë përhapjen e insekteve, duke rrezikuar shëndetin e familjeve që jetojnë në zonë.
Banorët i bëjnë thirrje Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për të identifikuar burimin e rrjedhjes dhe për të zgjidhur problemin, i cili prej një muaji vazhdon të mbetet pa zgjidhje.