Shkëndija që mund të kthente një pallat në hi, momenti kur kabllot marrin flakë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.07.2026, 19:38

Një video shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku dokumentohet momenti kur pranë një kondicioneri në fasadën e një pallati në zonën e Kombinatit shfaqen tym dhe shkëndija zjarri, duke ngritur alarmin për një rrezik serioz.

Nga pamjet duket se pranë njësisë së jashtme të kondicionerit ndodhen shumë kabllo të vendosura pa sistemim dhe me izolim të dyshimtë.

Në një moment, prej tyre del tym dhe nis një vatër e vogël zjarri, e cila, nëse nuk do të konstatohej në kohë, mund të përhapej me pasoja të rënda.

Qytetarja që ka dërguar denoncimin shprehet e revoltuar për mungesën e sigurisë, duke shkruar:

"Sapo ra një zjarr sipër një pallati në Kombinat. Afër një kondicioneri ka shumë kabllo jashtë, të lidhura pa izolim, thjesht një rrëmujë. Këta paguajnë miliona lekë për një koncert, por jo për sigurinë tonë."

Pas sinjalizimit të parë nga banorët e pallatit përballë, u bë e ditur se zjarri u shua në kohë me ujë nga vetë fqinjët, duke shmangur përhapjen e flakëve. Megjithatë, situata mbetet shqetësuese dhe me rrezik të shtuar, pasi kabllot elektrike janë shkrirë plotësisht me njëri-tjetrin.

Ky rast rikthen edhe një herë vëmendjen te rreziku që paraqesin instalimet elektrike të pasistemuara dhe kabllot e ekspozuara në fasadat e pallateve, të cilat në ditët e nxehta të verës mund të shndërrohen në burim zjarri brenda pak sekondash. Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të kryejnë verifikimet e nevojshme, përpara se një neglizhencë e tillë të përfundojë në tragjedi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit