Përmbytjet katastrofike që kanë goditur jugun e Kinës kanë krijuar një rrezik të ri për banorët. Pas reshjeve të dendura dhe përmbytjeve të shkaktuara nga tajfuni Maysak, një fermë për mbarështimin e gjarpërinjve në rajonin Guangxi u shkatërrua, duke bërë që rreth 900 gjarpërinj të arratiseshin në zonat e banuara. Mes tyre raportohet se ndodhen edhe kobra helmues.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra gjarpërinj duke lëvizur mes ujërave të përmbytjeve, ndërsa banorët jetojnë me frikën se mund të përballen me ta në çdo moment.
Autoritetet kineze kanë ngritur ekipe të posaçme për kapjen e gjarpërinjve, ndërsa banorëve u është kërkuar të mos përpiqen t'i kapin vetë, por të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës në rast se i shohin. Gjithashtu, spitalet në zonë janë furnizuar me serum kundër helmit të gjarprit për t'u përballur me çdo rast të mundshëm.
Sipas raportimeve, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në rajon, kanë detyruar dhjetëra mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe kanë lënë pas viktima e të zhdukur. Arratisja e gjarpërinjve konsiderohet një nga pasojat më të pazakonta dhe më të rrezikshme të kësaj fatkeqësie natyrore.