U abuzua seksualisht nga babai për 16 vite, sot kërkon ndihmë për t’i siguruar një shtëpi djalit të saj

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.07.2026, 22:02

LINKU I GOFUNDME

Tetë vite më parë, historia e saj tronditi mbarë Shqipërinë. Sot, ajo nuk kërkon më drejtësi, pasi autori i krimit është dënuar. Kërkon vetëm një mundësi që djali i saj të rritet në siguri, larg traumave që shënuan jetën e saj.

Bëhet fjalë për një nënë të re, e cila i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një video prekëse, ku shfaqet me fëmijën e saj në prehër dhe, me zërin që i dridhet nga emocionet, u kërkon shqiptarëve ta ndihmojnë të sigurojë një banesë të përhershme për veten dhe djalin e saj.

Historia e saj u bë publike në vitin 2018 dhe tronditi opinionin publik. Ajo denoncoi se kishte qenë viktimë e abuzimit seksual për 16 vite me rradhë nga babai i saj. Pas denoncimit, ai u arrestua dhe u dënua nga gjykata. Megjithatë, siç tregon edhe vetë ajo, asnjë vendim nuk mund t'i kthejë fëmijërinë dhe vitet që i janë marrë.

Sot, sfida e saj është krejt tjetër. Ajo është nënë e vetme dhe lufton çdo ditë për t'i dhënë djalit të saj një jetë të denjë dhe të sigurt.

Në videon e dërguar në redaksinë tonë, ajo shprehet:

"Për 16 vite me radhë, babai më dhunoi seksualisht. Në vend që të më mbronte, më mori fëmijërinë. Më pas gjeta guximin të flas, ai u dënua, por jeta ime u shkatërrua. Sot jam një nënë e vetme, e cila mundohet të rrisë fëmijën e vet me shumë vështirësi. Kam nevojë për ndihmë, që djalit tim t'i siguroj të paktën një strehë, ku ai të jetojë i sigurt, të jetojë në paqe. Unë nuk e kam këtë mundësi. Nuk kam familje që të më mbështesë. Ju jeni e vetmja shpresë që kam. Ju lutem, vendosni dorën në zemër dhe më dëgjoni. Ju falënderoj nga zemra dhe Zoti ju bekoftë."

Për ta mbështetur, është hapur një fushatë në platformën GoFundMe. Organizatorët e saj kanë zgjedhur të mos publikojnë identitetin e plotë të nënës, për të mbrojtur privatësinë e saj dhe të fëmijës. Ata bëjnë me dije se dokumentacioni gjyqësor që vërteton historinë e saj ekziston dhe mund të vihet në dispozicion për verifikim, ndërsa çdo fond i mbledhur do të përdoret vetëm për t'i siguruar asaj dhe djalit të saj një shtëpi të sigurt dhe të përhershme.

Tetë vite më parë, shqiptarët u tronditën nga historia e saj. Sot, ajo nuk kërkon më keqardhje. Kërkon vetëm një shans që djali i saj të rritet në një shtëpi ku të njohë sigurinë, qetësinë dhe dashurinë që çdo fëmijë meriton.

Nëse keni mundësi ta ndihmoni, çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë një ndryshim të madh. Edhe shpërndarja e historisë së saj mund të jetë një ndihmë e çmuar për një nënë që po lufton çdo ditë për t'i ndërtuar të birit një të ardhme më të mirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit