Zbardhet lista e KPP: Ish-sekretari i Ulsi Manjës në krye të renditjes

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.07.2026, 17:56

Komisioni Ad Hoc i ngritur pranë Kryeministrisë ka publikuar renditjen përfundimtare të kandidatëve për pozicionin e Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), institucionit kyç që shqyrton të gjitha ankesat për tenderët publikë në Shqipëri.

Por, përtej shifrave zyrtare, procesi ka ngritur menjëherë pikëpyetje të mëdha mbi meritokracinë dhe hije të forta dyshimi për ndikim politik dhe krahinor.

Sipas listës zyrtare, për postin e Kryetarit të KPP-së ka një barazim pikësh në krye të herës, ku spikat një emër i njohur për administratën:

  • Ismail Shehu – 74 pikë
  • Enea Hoti – 74 pikë
  • Ertil Sula – 57.3 pikë
  • Bledar Zeneli – 49 pikë

Nga burimet e bëra me dije, kandidati Ismail Shehu, i cili ndan kreun e listës me pikë të barabarta, konsiderohet si një lidhje e afërt e ish-Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Më herët, Shehu ka mbajtur pikërisht postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, çka shton zërat për një paracaktim apo favorizim të tij mbi baza politike.

Gjithashtu, në opinionin publik kanë nisur të qarkullojnë pretendime se mes kandidatëve kryesorë ka një numër të konsiderueshëm personash që kanë origjinë nga Dibra, duke ngritur dyshime edhe për lobime krahinore.

Ndërkohë, sa i përket pozicioneve për anëtarë të këtij komisioni, lista kryesohet nga Fiorent Zguro, i ndjekur nga emra të tjerë të fushës së ligjit dhe ekonomisë:

  • Fiorent Zguro – 82 pikë
  • Ervin Simo – 73 pikë
  • Enkeleon Topulli – 71.6 pikë

Lista vijon më tej me juristë dhe ekonomistë të tjerë të vlerësuar nga Komisioni Ad Hoc.

Procedura ligjore parashikon që, pas këtij vlerësimi, lista me renditjen sipas pikëve t'i dërgohet Këshillit të Ministrave dhe më pas Kuvendit të Shqipërisë, i cili do të bëjë edhe emërimet finale.

Megjithatë, përfshirja e emrave me lidhje të forta me mazhorancën pritet të ndezë debate të ashpra mbi transparencën e procesit. Pyetja që ngrihet në këtë rast është nëse sistemi i pikëzimit ka garantuar një garë reale të bazuar në meritë, apo nëse vendimmarrja finale për institucionin që kontrollon miliardat e tenderëve do të ndikohet nga emrat e përveçëm dhe e shkuara e tyre politike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit