Një qytetar ka dërguar një denoncim pranë JOQ Albania, duke krahasuar çmimet dhe organizimin e plazheve në Grand Canaria, Spanjë, me ato në Shqipëri.
Sipas tij, në një plazh në Grand Canaria, një çadër me dy shezllonë kushton 7.5 euro, ndërsa pagesa kryhet me kartë dhe shoqërohet me kupon tatimor.
“Një çadër, dy shezllonë 7.5 euro. Pagesë me kartë dhe sigurisht kupon tatimor. Më lirë se në Shqipëri”, shprehet qytetari në mesazhin e dërguar.
Ai thekson gjithashtu se në këtë zonë, plazhi publik ndodhet përpara hapësirave private dhe se sipërfaqja e plazhit publik është më e madhe krahasuar me atë të privatizuar. Ai madje thotë se plazhi ka edhe një hapësirë të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara pa patur nevojë të futen në rërë.
Krahasimi i bërë nga qytetari rikthen diskutimet mbi çmimet, aksesin në bregdet dhe menaxhimin e hapësirave publike në sezonin turistik në Shqipëri ku çdo ditë ka denoncime për zaptimin e hapësirave publike të plazhit, çmime abuzive si në çadra e shezlongë ashtu edhe në produktet e konsumit.