Klithma e pensionistes nga Saranda: Institucionet më trajtuan si kafshë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.07.2026, 21:24

Një nga momentet më prekëse të protestës së 41-të para Kryeministrisë ishte dëshmia e një pensionisteje nga Saranda, e cila mori mikrofonin për të treguar publikisht kalvarin që, sipas saj, po përjeton prej pesë vitesh në përpjekje për të fituar të drejtën mbi pronën e saj.

E moshuara tha se ka udhëtuar nga Saranda drejt Tiranës për të ngritur zërin, pasi pretendon se, pavarësisht se disponon certifikatë pronësie, nuk ka arritur të marrë zgjidhje nga institucionet e drejtësisë.

"Kam 5 vjet që luftoj në gjykata dhe në prokurori. E kam pronën me certifikatë pronësie dhe nuk ma japin. I kam emrat e gjyqtarëve, i kam emrat e prokurorëve, i kam emrat e policëve. Nuk më trajtojnë si njeri, por më trajtojnë si kafshë. Ky është shteti ynë", u shpreh ajo para protestuesve.

Mes emocionesh, pensionistja u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë ndaj padrejtësive, duke thënë se njerëzit nuk duhet të detyrohen të enden nëpër institucionet shtetërore për të kërkuar një të drejtë që u takon.

Ajo rrëfeu gjithashtu edhe vështirësitë ekonomike e shëndetësore me të cilat përballet. Sipas saj, pensioni që merr është më pak se 200 mijë lekë të vjetra në muaj, shumë që, siç tha, nuk i mjafton as për të blerë ilaçet.

"Jam pensioniste, marr një pension nën 200 mijë lekë të vjetra, nuk më dalin as për ilaçe. Kam ngrënë tre thika, në zemër, në veshka, kam gurë në tëmth dhe prapë sorollatem nëpër polici, gjykata dhe prokurori", deklaroi ajo.

Dëshmia e saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e pranishëm, ndërsa rasti i saj është një tjetër apel publik drejtuar institucioneve për t'i dhënë zgjidhje pretendimeve të ngritura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit