Një video e filmuar në rrugën "Abaz Çelkupa" në Durrës, pranë tregut të fruta-perimeve, ka nxjerrë sërish në dritë një nga plagët më të mëdha të lëvizjes urbane: parkimet e gabuara që bllokojnë mjetet e emergjencës.
Në pamje shihet qartë se si një mjet zjarrfikës, me sirena të ndezura dhe në mision shpëtimi, detyrohet të manovrojë me milimetra mes makinave të parkuara vend e pa vend në të dyja anët e rrugës. Situata bëhet akoma më paradoksale pasi stacioni i zjarrfikësve ndodhet fare pranë kësaj zone, çka do të thotë se ky "ansambël" pengesash është një sfidë e përditshme për shoferët e emergjencave.
Në raste zjarresh apo rreziku për jetën, çdo sekondë e humbur në trafik për shkak të papërgjegjshmërisë qytetare mund të jetë fatale. Pamje të tilla janë një thirrje e hapur jo vetëm për ndërgjegjësimin e shoferëve, por edhe për një ndërhyrje më të rreptë nga ana e policisë bashkiake dhe rrugore për të liruar këto akse jetike.