Ka nisur mbrëmjen e sotme protesta e 41-të qytetare në Tiranë, duke shënuar javën e gjashtë radhazi të mobilizimit kundër klasës politike që ka qeverisur vendin në këto 35 vite.
Pas grumbullimit në Sheshin "Skënderbej", qytetarët kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalimet e përnatshme, përpara se protesta të vijojë në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Me flamuj kuqezi, pankarta dhe brohoritje, protestuesit kanë mbushur bulevardin, ndërsa jehonë kanë marrë sërish thirrjet që tashmë janë bërë simbol i kësaj lëvizjeje qytetare.
"Edi Rama, o legen, prite popullin se po vjen", dëgjohen të brohorasin qytetarët gjatë marshimit drejt Kryeministrisë.
Pavarësisht ditëve që kalojnë, protesta nuk ka shfaqur shenja tërheqjeje. Për të 41-ën ditë me radhë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës së vjetër politike dhe mbajtjen e përgjegjësisë për korrupsionin, varfërinë dhe shpopullimin e vendit.
Edhe sonte, pas fjalimeve para Kryeministrisë, protesta pritet të vijojë me marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës.