Fishekzjarre për lirimin e ish-zyrtarit të arrestuar, Daniel Gjura pritet si “hero” në Dibër

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.07.2026, 20:04

Pak minuta pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Dibër vendosi zbutjen e masës së sigurisë për ish-zëvendësdrejtorin e Kadastrës së Dibrës, Daniel Gjura, jashtë ambienteve ku ai doli nga paraburgimi nuk mungoi atmosfera festive.

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, e publikuar nga një familjar i tij, Gjura pritet nga një grup personash mes fishekzjarresh, përqafimeve dhe duartrokitjeve, sikur të bëhej fjalë për kthimin e një heroi.

Për ta bërë skenën edhe më të pazakontë, në sfond dëgjohet një këngë patriotike me vargje si: "Ti Tanush, po vijnë retë e zeza..." dhe "Çohuni djema...", duke i dhënë videos një atmosferë që shumë përdorues në rrjet e kanë cilësuar më shumë si një meme sesa si një episod të zakonshëm pas një vendimi gjykate.

Kujtojmë se Gjykata vendosi të zëvendësojë masën "arrest në burg" me "detyrim për paraqitje" dhe "ndalim të daljes jashtë shtetit", duke urdhëruar lirimin nga paraburgimi për ish-kandidatin e PS për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Daniel Gjura ishte arrestuar pasi dyshohet për veprat penale të "Mashtrimit" dhe "Falsifikimit të dokumenteve", në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave në Dibër, ku u përfshinë edhe disa zyrtarë.

Pavarësisht se ndaj tij vijojnë procedurat penale dhe çështja nuk është gjykuar në themel, pritja me fishekzjarre ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe komente të shumta për mënyrën se si u festua lirimi i një personi që vijon të jetë nën hetim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit