Vrasja në Laç: Viktima kishte humbur bashkëshorten shtatzënë disa muaj më parë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.07.2026, 16:11

Qyteti i Laçit u trondit mbrëmjen e së enjtes nga një atentat me armë zjarri, ku mbeti i vrarë Ilir Gjini, i njohur edhe me disa nofka si Lika, Kokaj dhe Nure, rreth 40 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, Gjini ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt spitalit, për shkak të plagëve të rënda të marra nga të shtënat me armë zjarri.

Për ngjarjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti, i njohur edhe si Artur Suti, i dyshuar si autori i vrasjes. Hetimet paraprake dyshojnë se mes dy personave kishte pasur më herët konflikte, të cilat mund të kenë çuar në përplasjen fatale të mbrëmjes së djeshme.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se rreth një muaj më parë, Ilir Gjini dhe Emiljan Suti janë përfshirë në një konflikt në qendër të qytetit. Dyshohet se ata janë përballur sërish mbrëmjen e ngjarjes, përpara se Gjini të qëllohej për vdekje.

Sipas të dhënave paraprake, të dy ishin banorë të së njëjtës zonë. Gjini sapo kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit, kur ndaj tij u qëllua me shtatë plumba.

Policia ka shoqëruar për t’i marrë në pyetje familjarë të Emiljan Sutit, ndërsa kontrollet vijojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij. Të afërm, banorë të zonës dhe persona që i njihnin dy palët pritet të japin informacion mbi konfliktet që mund të kenë ekzistuar mes tyre.

Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar edhe një armë zjarri tip pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës. Hetuesit po verifikojnë pistën nëse Gjini ka shkuar i armatosur në zonën ku ndodhi ngjarja, ndërsa pritet që kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e banorëve të hedhin më shumë dritë mbi dinamikën e atentatit.

Vrasja e Ilir Gjinit ka rënduar edhe më tej familjen e tij, pasi vetëm disa muaj më parë ai kishte humbur edhe bashkëshorten. Sot, familjarët kanë hapur dyert e mortit për të afërmit dhe miqtë që kanë shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit 40-vjeçarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit