Pas 7 vitesh heshtje, tropojani ka një mesazh për Xhenin: S’u largova prej teje… po luftoja me veten!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.07.2026, 00:34

Në redaksinë e JOQ Albania mbërrijnë çdo ditë denoncime, ankesa dhe histori nga më të ndryshmet. Por këtë herë, mesazhi që morëm ishte krejt ndryshe. Nuk ishte një denoncim, as një apel për ndihmë, por një mesazh që një i ri thotë se e ka mbajtur në zemër për më shumë se shtatë vite.

Ai tregon se në janar të vitit 2019 njohu përmes bisedave online një vajzë të quajtur Xheni, studente e vitit të parë për Drejtësi në Tiranë, me origjinë nga jugu i Shqipërisë. Ata folën për rreth një muaj, por nuk arritën të takoheshin asnjëherë.

Sipas tij, ishte vetë ai që vendosi t'i ndërpriste kontaktet pa dhënë asnjë shpjegim. Vetëm pas më shumë se shtatë vitesh vendosi të tregojë arsyen e vërtetë të largimit.

Ai shkruan se në atë periudhë po përballej me ankth dhe atake paniku, një gjendje që nuk dinte si t'ia shpjegonte askujt. Për këtë arsye, zgjodhi të largohej në heshtje, pa i dhënë asnjë shpjegim vajzës. Sot thotë se pikërisht ajo heshtje është kthyer në pengun që e ka shoqëruar për vite me radhë.

"Nuk u largova prej teje sepse nuk doja të të njihja. U largova sepse në atë kohë isha duke luftuar me veten time dhe nuk dija si t'ia shpjegoja askujt."

I riu thotë se shpesh ka menduar se Xheni mund të ketë besuar se kishte bërë diçka gabim, kur në të vërtetë arsyeja nuk kishte asnjë lidhje me të. Pikërisht ky mendim, sipas tij, e ka shoqëruar për më shumë se shtatë vite.

Ai shton se prej kohësh është përpjekur ta gjejë në rrjetet sociale, por pa sukses. Për këtë arsye vendosi t'i drejtohet JOQ Albania, me shpresën se mesazhi mund të arrijë rastësisht tek ajo.

Në fund, ai thekson se nuk kërkon të rikthejë të kaluarën dhe as të ndryshojë jetën e askujt.

"Thjesht doja ta përshëndesja dhe t'i uroja nga zemra të jetë mirë, e lumtur dhe ta ketë trajtuar bukur jeta. Ky është vetëm një përshëndetje pas shumë vitesh, një mesazh respekti dhe një peng që kam mbajtur në zemër për një kohë të gjatë."

Nëse ky mesazh do të arrijë ndonjëherë tek Xheni, mbetet për t'u parë. Por ndonjëherë, edhe kur përgjigjja nuk vjen, mjafton të gjesh guximin të thuash atë që ke mbajtur në zemër për vite me radhë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit