Biznese të zonës së Velipojës kanë ngritur shqetësimin për punimet që, sipas tyre, po vijojnë edhe në kulmin e sezonit turistik, duke krijuar zhurmë dhe shqetësim për pushuesit.
Në një denoncim të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ata shprehen se makineritë nisin punën që në orën 05:00 të mëngjesit, duke zgjuar turistët dhe duke i detyruar disa prej tyre të ndërpresin pushimet.
Sipas biznesmenëve, situata po u shkakton humbje ekonomike në një periudhë kur sezoni duhet të ishte në kulmin e tij. Ata ankohen se, ndërsa përballen me taksa dhe detyrime ndaj bashkisë, punimet nuk po pezullohen për të mos cenuar aktivitetin turistik.
"Shikoni çfarë po u bëhet bizneseve në Velipojë. Bashkia Shkodër nuk po i ndalon punimet. Me taksa po na shkatërron, ndërsa nga ana tjetër punimet vazhdojnë. Pushuesit po na ikin. Që nga ora 5 e mëngjesit makineritë po krijojnë zhurmë dhe po shqetësojnë turistët. Ka nga ata që flenë vetëm një natë dhe largohen. Ju lutemi na ndihmoni", thuhet në denoncimin e dërguar në redaksinë tonë.
Bizneset i bëjnë thirrje Bashkisë Shkodër dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa, duke rishikuar oraret e punimeve ose duke i pezulluar ato gjatë sezonit turistik, në mënyrë që të mos dëmtohet më tej turizmi dhe aktiviteti ekonomik në Velipojë.