Jonaid Myzyri, drejtori i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), ka firmosur një kontratë të re ku “Bebe Joni” mbush pelenat me para publike dhe ua fal miqve të sistemit pa asnjë problem.
Sipas dokumentit zyrtar “Njoftimi i Shkurtuar i Kontratës” (REF-86360-05-21-2026), është dhënë një tender me fond limit 3,073,436.56 euro (pa TVSH) për blerjen e materialeve mjeksore specifike për Shërbimin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës. Procedura është kryer pa garë të vërtetë – vetëm një ofertë nga kompania “O.E.S DISTRIMED” shpk (NIPT K31520054N), në pronësi të Ermal Rizajt dhe Orjada Jahos, e cila ka marrë kontratën me vlerë 291,950,000 lekë. Pa konkurrentë, pa ofertë alternative, pa diskutim çmimi. Vetëm një kompani dhe një fitues i paracaktuar.
“Distrimed” nuk është fillestare në këtë lojë. Në vetëm 7 vite aktivitet, kompania ka arkëtuar dhjetëra tendera në sektorin e shëndetësisë, duke kapur rreth 60 milionë euro nga buxheti i shtetit. Suksesi është i vazhdueshëm kur ke miq në vendet kyçe si OBP.
Myzyri, që ka pasur histori me SPAK për çështje prokurimesh, vazhdon të drejtojë një nga institucionet më të rëndësishme për blerjet publike në shëndetësi. Ndërkohë që spitalet ankohen për mungesa materialesh bazë, miliona euro dalin pa problem për oligarkët e preferuar.
Pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë: kujt i shërben ky sistem? Qytetarit që paguan taksat apo oligarkëve që marrin kontratat?
Ky rast është vetëm një copëz e mozaikut më të madh. Kur drejtori i OBP zgjedh rrugën më të shkurtër për të dhënë tendera milionësh, nuk flasim më për keqmenaxhim. Flasim për një model të qëndrueshëm shpërndarjeje fondesh publike drejt aktorëve privatë të afërt me pushtetin.