Skandal në Urgjencën e Pediatrisë! Prej mbi një ore pa energji elektrike, prindërit: “Na thanë se gjeneratori nuk ka karburant”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.07.2026, 00:29

Një situatë alarmante është denoncuar mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ Albania nga disa qytetarë, të cilët ndodhen në Urgjencën e Pediatrisë pranë QSUT-së.

Sipas denoncimeve të mbërritura, prej më shumë se një ore pavijoni është përballur me mungesë të energjisë elektrike, ndërsa prindërit shprehen se askush nuk u ka dhënë një shpjegim zyrtar mbi arsyet e ndërprerjes apo se kur do të rikthehet furnizimi.

Një nënë tregon se ndodhet me fëmijën e saj të vogël në spital dhe se mungesa e energjisë ka krijuar vështirësi edhe për nevojat më bazike.

"Kemi më shumë se një orë pa drita. Fëmijët janë të vegjël, kërkojnë qumësht dhe nuk kemi ku ta ngrohim. Askush nuk vjen të na sqarojë çfarë ka ndodhur", shkruan ajo.

Një tjetër qytetar thotë se energjia elektrike ndizet dhe fiket vetëm në ambientet e urgjencës, ndërsa në repartet ku shtrohen fëmijët nuk ka fare energji.

Sipas tyre, stafi u ka komunikuar se problemi lidhet me gjeneratorin, i cili, sipas pretendimeve të tyre, nuk ka lëndë djegëse për të furnizuar të gjithë godinën. Po ashtu, qytetarët raportojnë se mjekët nuk kanë mundur të kryejnë as ekzaminime me eko për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ndërsa disa prindër janë detyruar të përdorin blicat e telefonave për të ndriçuar ambientet.

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur edhe pamje që tregojnë situatën në spital, ku korridoret dhe dhomat ndodhen në errësirë.

Kjo është një situatë tepër shqetësuese dhe e papranueshme për një institucion shëndetësor që trajton fëmijë, aq më tepër në Urgjencën e Pediatrisë.

JOQ Albania i bën thirrje Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve përgjegjëse të reagojnë sa më parë, të sqarojnë publikisht çfarë ka ndodhur dhe të marrin masa urgjente për rikthimin e plotë të energjisë elektrike, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti dhe jeta e pacientëve të vegjël.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit