Debati për financimin me 4.2 milionë euro të koncertit të Kanye West vijon të ngjallë reagime të forta, ndërsa së fundmi një i ri nga Durrësi ka publikuar një video-mesazh ku e lidh këtë vendim me përmbytjet që goditën qytetin në fillim të këtij viti.
Në mesazhin e tij, ai sjell në vëmendje se dhjetëra familje pësuan dëme të mëdha materiale dhe psikologjike nga përmbytjet, ndërsa thekson se fondi prej të cilit u financua koncerti është pikërisht fondi rezervë i qeverisë, i destinuar për përballimin e situatave emergjente.
"Ju u përmbytët në fillim të vitit, disa edhe për herë të tretë. Pësuat dëme të mëdha financiare dhe psikologjike. Ndërkohë, 4.2 milionë euro, rreth 42% e fondit të emergjencave, që mund të ishin përdorur për të dëmshpërblyer familjet e prekura, u përdorën për të financuar koncertin privat të Kanye West. Kjo tregon se hallet tuaja nuk janë prioritet", shprehet ai në video.
Reagimi i tij vjen pasi qeveria miratoi një Akt Normativ, përmes të cilit akordoi 400 milionë lekë, rreth 4.2 milionë euro, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për zhvillimin e koncertit në Tiranë. Vendimi ka shkaktuar debat të fortë publik, pasi fondi rezervë është parashikuar për situata të jashtëzakonshme dhe emergjenca, ndërsa ekspertë të ekonomisë dhe juristë kanë ngritur pikëpyetje mbi bazën ligjore dhe prioritetet e këtij financimi.
Videoja e të riut nga Durrësi rikthen në vëmendje pyetjen që shumë qytetarë po shtrojnë prej ditësh: a ishte koncerti i një artisti ndërkombëtar një emergjencë më e madhe sesa përmbytjet, dëmet dhe hallet e qytetarëve shqiptarë?