Flakët përfshijnë kodrën e Kuzum Babait në Vlorë: Zjarrfikësja u vonua!

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 08.07.2026, 18:37

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim nga një qytetar në Vlorë, i cili ka dërguar pamje nga zjarri që ka përfshirë kodrën e Kuzum Babait, një nga zonat më të njohura dhe më të frekuentuara të qytetit.

Sipas qytetarit, flakët nisën të përhapeshin me shpejtësi në shkurret dhe bimësinë e kodrës, ndërsa pranë vatrës së zjarrit ndodhen banesa dhe Teqeja e Kuzum Babait, duke rritur frikën se situata mund të dilte jashtë kontrollit.

Qytetari pretendon se ndërhyrja e zjarrfikëses ka ardhur me rreth një orë vonesë, kohë gjatë së cilës zjarri vijoi të përhapej. Edhe pas mbërritjes së ekipeve në terren, sipas tij, për më shumë se një orë flakët u luftuan vetëm me mjete tokësore, ndërsa kërkohej ndërhyrje urgjente edhe nga ajri.

"Ka marrë flakë kodra ku ndodhet historikja Kuzum Baba. Prej më shumë se një ore po tentohet të shuhet zjarri vetëm me zorra uji nga zona sipër restorantit, por flakët po përhapen me shpejtësi marramendëse në të dyja anët. Situata po del jashtë kontrollit dhe kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga ajri me helikopter, pasi me mjetet aktuale zjarri nuk po vihet nën kontroll. Po rrezikohen banesat.", shkruan qytetari.

Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë flakët që përhapen në kodër, ndërsa tymi është i dukshëm në një pjesë të mirë të qytetit. Banorët shprehen të shqetësuar jo vetëm për rrezikun ndaj banesave, por edhe për faktin se zjarri ka rënë në zemër të Vlorës, në një zonë me rëndësi historike dhe turistike.

Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesa, ndërsa shërbimet zjarrfikëse vijojnë operacionin për vënien nën kontroll të flakëve. Ndërkohë, pretendimet e qytetarëve për vonesën e ndërhyrjes mbeten një shqetësim që pritet të marrë një reagim nga institucionet përgjegjëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit