Një 21-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Arlind K., ka kërkuar rigjykim në Belgjikë, pasi ishte dënuar më 13 shkurt me 15 muaj burg dhe gjobë për përfshirje në trafik droge. Vendimi ishte dhënë në mungesë, pasi i riu nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore.
Gjatë seancës së re, prokuroria rikujtoi se më 3 gusht 2024, Arlind K. u ndalua nga policia pas një kontrolli rutinë për një shkelje të Kodit Rrugor. Sipas prokurorit, sjellja tepër nervoze e tij dhe e pasagjerit ngriti dyshime, çka çoi në kontrollin e automjetit.
Poshtë sediljes së shoferit u gjetën tre qese me rreth 140 gramë kanabis dhe hashash. Fillimisht, 21-vjeçari mohoi të kishte dijeni për lëndën narkotike, duke pretenduar se vetëm po i bënte një nder pasagjerit, i cili i kishte kërkuar ta transportonte.
Megjithatë, hetimet morën tjetër drejtim pasi policia analizoi telefonin e tij. Sipas prokurorisë, në pajisje u gjetën mesazhe me adresa ku duhej të dorëzoheshin lëndët narkotike, si edhe foto e video ku shfaqeshin sasi kanabisi, para në dorë dhe vetë Arlind K. Prokurori argumentoi se këto prova tregonin se ai vepronte prej javësh si korrier për një organizatë të trafikut të drogës dhe kërkoi që dënimi të lihej në fuqi.
Nga ana tjetër, avokatja e 21-vjeçarit paraqiti një version krejt tjetër të ngjarjes. Sipas saj, klienti i saj punon si berber dhe ishte njohur rastësisht me një person që i kishte ofruar 100 euro për t'i prerë flokët. Ajo pretendoi se ditën e arrestimit ai kishte pranuar vetëm të drejtonte për pak automjetin me qira të këtij personi, pasi ky i fundit kishte konsumuar kanabis dhe nuk ishte në gjendje të ngiste makinën.
Mbrojtja këmbënguli se nuk kishte prova që Arlind K. të kishte përfituar para nga trafiku i drogës dhe argumentoi se ai ishte "në vendin e gabuar, në kohën e gabuar".
Por shpjegimet nuk bindën trupin gjykues. Kur avokatja minimizoi rëndësinë e mesazheve të gjetura në telefon, gjyqtari iu drejtua më pas vetë të pandehurit.
"Unë punoj si berber. Madje kam krijuar edhe klientelën time në Antverp", deklaroi Arlind K. përmes përkthyesit.
Përgjigjja e gjyqtarit ishte ironike: "Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikush të porosisë 140 gramë kanabis te berberi."
21-vjeçari u përgjigj se telefoni ku ishin gjetur mesazhet nuk ishte i tij, por i pasagjerit, ndërsa shtoi se kishte pajisje pune që vërtetonin profesionin e tij si berber.
Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet më 14 korrik.