“Kam një muaj që s’fle gjumë” rrëfimi i nënës së 17-vjeçares: S’i fal vajzat dhunuese, policia na la në baltë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.07.2026, 23:52

Dy ditë pasi JOQ Albania publikoi videon që tronditi opinionin publik, ku një 17-vjeçare dhunohej nga bashkëmoshataret e saj në Fier, ka folur për herë të parë nëna e së miturës, e cila rrëfen se familja vazhdon të jetojë me pasojat psikologjike të asaj ngjarjeje.

Mes lotësh, ajo tregon se prej një muaji nuk arrin të flejë, ndërsa vajza e saj vazhdon të përjetojë traumën e asaj që ndodhi.

"Kam një muaj që nuk fle gjumë. Shtrihem në krevat dhe më dalin para syve videot. Dëgjoj vajzën time që më thërret 'o ma' dhe e shoh duke kërkuar ndihmë. Është një dhimbje që nuk përshkruhet," shprehet ajo.

Nëna tregon se menjëherë pasi mësoi çfarë kishte ndodhur, iu drejtua Komisariatit të Policisë Fier për të bërë kallëzimin dhe për të kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.

Sipas saj, familja bashkëpunoi me policinë që në orët e para, madje shoqëroi efektivët edhe në banesën ku kishte ndodhur ngjarja. Ajo pretendon se iu tha se rasti do të ndiqej dhe do të zgjidhej, por më pas mbeti pa informacion për ecurinë e procedurave.

"Pritëm disa ditë me shpresën se do të merrnim një përgjigje. Ndërkohë vajza u rëndua psikologjikisht. Nuk hante, flinte gjithë ditën, qante dhe jetonte me frikë. Çdo zhurmë e trembte dhe shikonte vazhdimisht nga dritarja," rrëfen ajo.

Nëna thotë se është rikthyer disa herë në komisariat për të kërkuar informacion mbi çështjen.

"Shkova përsëri në polici. Kërkova të dija se në çfarë faze ishte dosja dhe kush po e ndiqte. Doja të dorëzoja edhe materialet që kisha në telefon. Si nënë, kërkoja vetëm të dija se çfarë po bëhej për vajzën time."

Ajo thotë se ka ndjekur edhe reagimin publik të nënës së një prej vajzave të përfshira, e cila kërkoi falje dhe deklaroi se vajza e saj ka probleme të shëndetit mendor.

Megjithatë, nëna e 17-vjeçares thotë se, pavarësisht faljes së kërkuar nga nëna e njërës prej vajzave dhunuese, ajo nuk mund t'i falë vajzat për atë që i kanë bërë së bijës. Sipas saj, plagët fizike mund të kalojnë, por pasojat psikologjike të dhunës vazhdojnë të rëndojnë mbi vajzën dhe gjithë familjen.

"E di që kërkoi falje. Ndoshta edhe ato nëna nuk kanë qenë në dijeni. Por unë nuk mund ta fal. Vetëm shpirti im e di çfarë po kaloj. E kam shumë të vështirë ta harroj atë që i ndodhi vajzës sime."

Në fund të rrëfimit, ajo u drejton një apel të gjitha familjeve dhe të rinjve.

"Unë jam nënë dhe nuk ia uroj askujt këtë dhimbje. U bëj thirrje prindërve të jenë sa më pranë fëmijëve të tyre dhe të rinjve të mos zgjedhin kurrë dhunën. Shpresoj që asnjë familje të mos përjetojë më atë që kemi kaluar ne."

Rasti i Fierit ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes fenomenin e dhunës mes të miturve, si edhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike për viktimat dhe ndërhyrjes së shpejtë të institucioneve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit