Një grup banorësh që jetojnë në zonën pranë Terminalit Jug-Veri në Tiranë i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke ngritur shqetësimin për mungesën totale të një parku apo hapësire të gjelbër ku fëmijët dhe të moshuarit të kalojnë kohën.
Në videon e dërguar në redaksi shihen fëmijë që luajnë mes blloqeve të pallateve, ndërsa e vetmja hapësirë që kanë në dispozicion është një shesh i mbuluar tërësisht me beton. Në të njëjtin ambient shihen edhe të moshuar që detyrohen të qëndrojnë në të njëjtën zonë, pasi nuk kanë një park apo lulishte pranë banesave të tyre.
Sipas banorëve, rrëzimet e fëmijëve janë bërë të zakonshme për shkak të sipërfaqes së fortë.
"Jemi një grup pallatesh pranë Terminalit Jug-Veri dhe nuk kemi asnjë park apo lulishte ku të dalin fëmijët, por edhe të rriturit të marrin pak ajër. I vetmi vend ku mendojnë se mund të luajnë është ky që shihni në video, i mbuluar vetëm me beton. Nuk kalon asnjë orë pa dëgjuar të qarat e fëmijëve që rrëzohen dhe lëndohen. Po për të moshuarit, kush mendon?", shkruajnë banorët.
Ata thonë se prej kohësh presin që dikush të marrë në konsideratë këtë problem, duke theksuar se lagjja është e mbushur me pallate, por pa asnjë hapësirë publike të gjelbër ku banorët të mund të kalojnë disa momente jashtë shtëpisë.
Banorët shpresojnë që publikimi i këtij denoncimi të tërheqë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që zona të pajiset me një park ose një kënd rekreativ, ku fëmijët të luajnë të sigurt dhe të moshuarit të kenë një vend për të pushuar.
Në një qytet që zgjerohet çdo vit me ndërtime të reja, banorët thonë se hapësirat e gjelbra nuk duhet të mbeten luks, por një e drejtë për çdo komunitet.