“Ju kërkoj 100 herë ndjesë”, reagon nëna e një prej të miturave të përfshira në dhunimin e 17-vjeçares: Vajza ime ka nevojë për trajtim!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.07.2026, 18:53

Pas publikimit nga JOQ Albania të videos që shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik, ku një 17-vjeçare dhunohej fizikisht nga dy vajza 15-vjeçare , ka reaguar për herë të parë nëna e një prej të miturave të përfshira në ngjarje.

Në një deklaratë për mediat, ajo i kërkoi falje 17-vjeçares dhe familjes së saj, duke u shprehur se ndihet thellësisht e prekur nga ajo që ka ndodhur.

"Ju kërkoj 100 herë ndjesë prindërve të asaj vajze. Është njësoj sikur kjo t'i kishte ndodhur fëmijës tim. Jam shumë e prekur nga ngjarja," shprehet ajo.

Nëna deklaron se vajza e saj po përballet prej disa muajsh me probleme të shëndetit mendor dhe se familja ka kërkuar ndihmë për trajtimin e saj, por nuk ka mundur të sigurojë mbështetjen e nevojshme.

Sipas saj, e mitura është ndjekur nga specialistë dhe psikologët e shkollës, por problemet kanë vijuar, ndërsa familja nuk ka mundësi ekonomike për të përballuar trajtimin e specializuar.

"Unë kërkoj vetëm shërimin e plotë të vajzës. Nuk kam mundësi ekonomike ta përballoj trajtimin dhe shpresoj të marrim ndihmën që na nevojitet," thotë ajo.

Videoja e publikuar nga JOQ Albania dy ditë më parë u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe solli reagime të shumta.

Lidhur me rastin, Policia e Fierit bëri me dije se ngjarja ishte kallëzuar më 8 qershor dhe se, menjëherë pas denoncimit, u kryen veprimet procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë. Sipas policisë, personat e përfshirë pranuan se kishin ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares për motive të dobëta.

Autoritetet sqaruan gjithashtu se njëra prej të miturave u dërgua më pas për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor, pas një rasti tjetër të trajtuar nga organet ligjzbatuese.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje nevojën për ndërhyrje të hershme në rastet e dhunës mes të miturve, si dhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike dhe shëndetësore për fëmijët dhe familjet që përballen me situata të tilla.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit