Fermë Çlirim, Fier: “OSHEE, na thanë të mos i telefononim më, nga mëngjesi jemi pa drita”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 07.07.2026, 18:40

Një banor i zonës Fermë Çlirim, Fier, ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania, duke denoncuar mungesën e energjisë elektrike për më shumë se tetë orë, si edhe mënyrën e komunikimit që, sipas tij, kanë pasur operatorët e OSHEE-së.

Sipas qytetarit, ndërprerja e energjisë ka nisur rreth orës 08:50 të mëngjesit dhe deri në orën 17:37, kur ai ka dërguar denoncimin, banorët vijonin të ishin pa furnizim me energji elektrike.

"Kemi që në orën 08:50 të mëngjesit pa drita. Morëm në telefon operatorët e OSHEE-së në Fier dhe i njoftuam për problemin. Na thanë se energjia do të vinte edhe një orë dhe na kërkuan të mos telefononim më.", shprehet ai.

Banori tregon se, pasi kaloi koha e premtuar dhe energjia nuk u rikthye, u përpoq të kontaktonte sërish operatorët e OSHEE-së, këtë herë edhe për të regjistruar bisedën, por askush nuk iu përgjigj.

"I morëm sërish në telefon që ta regjistronim bisedën dhe t'ua sillnim edhe juve si material, por nuk e hapën më telefonin nga asnjë numër.", thotë qytetari.

Sipas tij, kjo nuk është një situatë e izoluar, por një problem që përsëritet prej vitesh.

"Jemi e vetmja zonë e Fierit që kemi vazhdimisht probleme me energjinë elektrike. Dimër e verë ndodh e njëjta gjë. Këto problematika i kemi vazhdimisht.", shton ai.

Banori bën me dije se nuk ka arritur të regjistrojë bisedën me operatorët, por disponon historikun e telefonatave me oraret përkatëse, që sipas tij vërteton përpjekjet e bëra për të kontaktuar OSHEE-në.

JOQ Albania publikon këtë denoncim në interes të informimit publik dhe pret një reagim nga OSHEE lidhur me pretendimet e ngritura nga banorët e Fermë Çlirimit, si dhe një sqarim për arsyen e ndërprerjes së zgjatur të energjisë elektrike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit