Jude Bellingham jep leksion humanizmi, ndalet për gazetarin me aftësi të kufizuara pasi të tjerët e injoruan

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.07.2026, 18:03

Jo gjithçka matet me golat apo paraqitjet në fushë. Ndonjëherë, një gjest i vogël jashtë vijave të blerta vlen më shumë se çdo fitore.

Pas ndeshjes ndaj Meksikës, Jude Bellingham u ndal për të biseduar me një gazetar me aftësi të kufizuara, i cili po priste prej kohësh të merrte një reagim nga futbollistët. Sipas pamjeve që janë bërë virale në rrjetet sociale, shumë prej lojtarëve kaluan pranë tij pa u ndalur, duke e injoruar.

Mes tyre, Bellingham bëri të kundërtën. Mesfushori anglez u afrua, e përshëndeti gazetarin dhe foli me të në gjuhën spanjolle, në mënyrë që ai ta kuptonte sa më mirë bisedën.

Gjesti i 22-vjeçarit është vlerësuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë tifozë e kanë cilësuar si një shembull respekti, edukate dhe përulësie. Për shumë njerëz, ky moment tregoi se madhështia e një futbollisti nuk matet vetëm me atë që bën në fushë, por edhe me mënyrën se si sillet me njerëzit jashtë saj.

Videoja ka marrë mijëra reagime pozitive, me komentuesit që vlerësojnë faktin se, ndryshe nga lojtarët e tjerë që kaluan pa i kushtuar vëmendje gazetarit, Bellingham zgjodhi të ndalonte dhe t'i dhuronte pak kohë e respekt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit