Heroi me kokore: I riu ndihmon çiklistin për 20 minuta ndërsa ambulanca vonohej

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.07.2026, 19:57

Një ngjarje dramatike ka ndodhur sot në zonën e "Zogut të Zi" në Tiranë, ku një qytetar ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti me biçikletë.

Nga dëshmitë e marra në vendngjarje, bëhet e ditur se një djalë ka rënë nga biçikleta, duke pësuar një çarje të rëndë në kokë dhe duke humbur ndjenjat menjëherë. Në momentin kur qytetarët e tjerë ishin të tronditur dhe po hezitonin të ndërhynin, një i ri, i cili po kalonte me motor dhe kishte ende kokoren në kokë, nuk është menduar dy herë.

Ai i ka dhënë menjëherë ndihmën e parë të lënduarit, duke u përpjekur të ndalonte gjakderdhjen dhe ta mbante atë në jetë për rreth 20 minuta, derisa më në fund mbërriti autoambulanca. Sipas dëshmitarëve, dikush tjetër në vendngjarje ka telefonuar urgjencën, por fillimisht linja nuk është hapur. Pas disa minutash përpjekje, ata janë përgjigjur, por ambulanca ka vonuar gati 20 minuta për të mbërritur në vendin e aksidentit.

Denoncimi ka ardhur nga një qytetar i pranishëm në vendngjarje, i cili ka shprehur revoltën për vonesën e urgjencës dhe ka vlerësuar gjestin heroik të të riut me kokore.

Mesazhi i plotë i ardhur nga qytetari:

"Përshëndetje JOQ! Kjo foto ku duket një djalë dhe një burrë që ka rënë nga biçikleta dhe kishte çarë kokën dhe ishte pa ndjenja. I ka dhënë ndihmën e parë djali me kokore. Një person tjetër ka telefonuar ambulancën, ajo nuk përgjigjej. Mbas disa minutash e hapi dhe ka vonuar gati 20 minuta. Aksidenti është bërë te Zogu i Zi. Askush nuk e prekte me dorë, djali me kokore e ka mbajtur në jetë për 20 min deri sa erdhi ambulanca."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit